Sindikata e pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) në Maqedoninë e Veriut sot filloi grevë në të gjitha institucionet e nivelit kombëtar në kopshte dhe në shkollat fillore dhe të mesme, që sipas njoftimeve do të zgjasë derisa të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
Nga ana tjetër Ministritë e Arsimit, Shkencës dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale theksojnë se edhe në kushtet e grevës, shkollat dhe kopshtet duhet të kryejnë veprimtarinë e tyre – kujdesin dhe edukimin e fëmijëve dhe organizimin e procesit edukativ- arsimor raportoi Koha.mk
Zv/kryeministri për Çështje Evropiane Fatmir Bytyqi, sot ka folur për grevën në arsim. Ai në intervistë për “Utrinski Brifing”, tha se nuk ju është dhënë mundësia palëve për negociata, edhe pse kishte thirrje që ato të vazhdojnë. “Në disa komuna ka mësim. Qëllimi është të mos viktimizohet arsimi i fëmijëve të cilët tashmë dy vite janë përjashtuar nga procesi edukativo-arsimor. Ne të rriturit duhet të jemi më të arsyeshëm”, tha Bytyqi.
Bytyqi thotë se “ne si shoqëri po kalojmë nëpër procese që nuk kanë ndodhur më parë, na jepet mundësia për bisedime dhe negociata”. “Negociatat nuk do të thotë vendosja e ultimatumit, kështu ka qenë edhe me mbledhjen e parë për pagën minimale kur sindikata ka dalë me kërkesë dhe ka thënë se nuk ka asnjë devijim, pra pse do të negociojnë”, komentoi Bytyqi.
Ministri i arsimit i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, reagoi poashtu e tha se e respekton të drejtën sindikale për grevë, por duhet të jetë vendimi përfundimtar dhe hapi i fundit, duke shtuar se dialogu social do të vazhdojë dhe sot dhe nesër me SASHK-un kemi takim.
“Do të bëj thirrje sa më shpejt që të arrihet një marrëveshje e përbashkët për këto çështje dhe të vazhdojë mësimi, tha Shaqiri gjatë vizitës në shkollën e mesme “Vlado Tasevski” ku po bëhet testimi ndërkombëtar PISA.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim me drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme për atë nëse dhe si po zhvillohet mësimi dhe sa janë të përfshirë në grevë. Ai tha se pas orës 14, gjegjësisht pas fillimit të turnit të dytë nëpër shkolla, do të kenë informacione për përfshirjen e tyre në grevë.
Në shkollën që ka vizituar ai ka thënë se nga gjithsej 117 punëtorë, 18 kanë qenë në grevë – personel mësimor dhe personel teknik dhe janë në hapësirë të veçantë.
“Mendoj se kjo është situata në shumë qytete. Kam informata fillestare, por duhet t’i konfirmoj në bashkëpunim me inspektoratet – arsim dhe punë, nga qytetet ku ka pasur nxënës që kanë dashur të hyjnë, por nuk janë lejuar në shkolla për shkak të vendimit për grevë”, tha Shaqiri.
Sipas tij, vendimi për grevë vjen në një situatë për të kompensuar ditët e vitit shkollor për shkak se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë u vonua për shkak të situatës me pandeminë.