Udhëheqësi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq bashkë me stafin e tij, nga e hëna ka ndërprerë bojkotin e nisur para një jave.
Mirëpo, edhe pse kishte ndërprerë punën, Rakiq nuk kishte ndalur përdorimin e benefiteve që shteti i Kosovës ia siguron për shkak të pozitës që mban.
E një veprim të tillë, shoqëria civile e konsideron keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete, Mevlud Sinani, ka thënë se mungesa e Rakiqit ka qenë për një periudhë të shkurtër.
“Kjo ka qenë një periudhë shumë e shkurtër, ka qenë një periudhë pesë ditore, natyrisht që nuk ka pasur ndonjë problem të madh. Meqë prej dje ka filluar punën ta shohim nëse vazhdon besoj që nuk do të ketë ndonjë ngecje të madhe”, tha ai.
Pavarësisht që nuk ka punuar, Rakiq ka vazhduar shfrytëzimin e resurseve të shtetit të Kosovës.
Gjatë kohës sa s’ka qenë ministri, nuk ka qenë as vetura e tij zyrtare.
“Jo, jo s’ka qenë vetura e tij zyrtare”, bëri të ditur Sinani për RTV Dukagjini.
Bojkotimin e punës, serbët e nisën të hënën e kaluar, pas suspendimit të gjyqtares Liljana Stevanoviq për shkak të pjesëmarrjes së saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi.