Deputeti i Listës Guxo në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli, ka pretenduar se Lista Guxo mund t’i fitojë deri në 10 për qind të votave në zgjedhje. Ndërkaq sondazhet e fundit të publikuara, këtë parti e kanë nxjerrë me 1.1%.
Derisa po fliste në T7 për të dhënat nga terreni, Haxhi Avdyli duket se nuk e ka parë sondazhin e fundit të publikuar nga ‘UBO Consulting’.
Ai ka thënë se Lista Guxo është mbi 7 deri në 10 për qind.
“Unë besoj që jemi mbi 7 deri në 10 për qind. Në bazë të përcjelljes tonë që i kemi në terren, ne mendojmë që jemi në këto suaza. Ne si subjekt jemi në konsolidim e sipër. Ne jemi të kënaqur me përkrahjen që e kemi në terren. E vërteta është se ne akoma nuk e kemi një strukturë të konsoliduar. Njerëzit akoma nuk janë duke besuar që jemi subjekt dhe kjo ka ndikuar pak”, ka deklaruar Avdyli.
Ndërkaq sipas sondazhit të publikuar nga ‘UBO Consulting’ në T7, po të votohej këtë të diel, Lista Guxo do të merrte as më pak e as më shumë se 1-2%, konkretisht 1.1%.
Sipas këtij sondazhi, Vetëvendosje i ka 41.9%, PDK 21.6%, LDK 19.4%, AAK 7.2%, LS 4.2%, Tjetër 2.8% dhe Lista Guxo 1.1%. /