Të paktën katër persona kanë vdekur pasi një makinë u përplas me një turmë në jug të Belgjikës.
Incidenti ndodhi në qytetin e vogël Strépy-Bracquegnies, rreth 30 milje (50 km) në jug të kryeqytetit Bruksel, raporton BBC.
Makina raportohet se u përplas me shpejtësi të lartë në një grup interpretuesish të karnavaleve që po përgatisnin një paradë të dielën.
“Kemi disa dhjetëra të plagosur dhe për fat të keq disa njerëz të vrarë,” tha kryetari i bashkisë së qytetit, Jacques Gobert për radiostacionin RTBF.
Të paktën 12 persona raportohet se janë lënduar rëndë pas aksidentit.
Rrethanat e incidentit nuk janë ende të qarta, por disa raporte të mediave lokale sugjerojnë se mund të ketë pasuar një ndjekje policore.
Zyrtarët po punojnë për të përcaktuar nëse një sulm terrorist mund të përjashtohet.
“Ngushëllimet më të thella për familjet dhe miqtë e të vrarëve dhe të plagosurve në incidentin e sotëm në mëngjes”, shkroi në Twitter Ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden.
“Ajo që supozohej të ishte një festë e madhe u kthye në një tragjedi”, shtoi ajo. “Ne po monitorojmë situatën nga afër”