Tetë kandidatë për Drejtor të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë arritur të kalojnë testin me shkrim dhe janë ftuar për intervistim, që është faza e fundit e konkursit. Kandidatët që kanë marrë mbi 50 për qind të pikëve në testin me shkrim dhe që janë ftuar për intervistë janë Shkumbin Ahmetxhekaj që ka marrë 80.7% të pikëve nga testi me shkrim, Bekim Hasani që ka marrë 79.2% të pikëve, Fadil Hoxha – 73.7%, Hysen Hundozi – 70.7%, Gjergj Filipaj – 69.3%, Arben Berisha – 65.8%, Fisnik Dërguti – 52.2% dhe Adriana Kutllovci – 50%.
Kurse kandidatët të cilët nuk e kaluan testin me shkrim janë Valentina Saraçini (46.3%), Fahredin Shehu (46.2%) dhe Orhan Hajrizi (41.2%).
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka bërë publike edhe listën e vlerësimit të kandidatëve në testin me shkrim, shkruan Demokracia.com.
Në këtë listë tregohen pikët që kanë marrë kandidatët në secilën përgjigje të dhënë nga secili anëtar i komisionit vlerësues.
Por, ajo që bie në sy është se diku vërehen dallime shumë të mëdha në poentim e diku as që vërehen dallime fare.
Anëtarët e komisionit vlerësues në përgjigjen e njëjtë të dhënë nga kandidatët për drejtor të RTK-së kanë dhënë pikë të ndryshme.
Pas kësaj ka reaguar kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Ai është munduar ta arsyetojë dallimin në poentim. Sipas tij, dallimi në pikë në mes anëtarëve është për faktin se secili anëtar e ka vlerësuar secilin kandidat në mënyrë të pavarur. Dikush nga anëtarët ka mundur ta vlerësojë vetëm përmbajtjen, dikush e ka vlerësuar edhe drejtshkrimin apo renditjen e paragrafëve.
“Lidhur me zhvillimet e fundit dhe tendencat e vazhdueshme për të njollosur punën e Bordit të RTK-së përmes insituatave të ndryshme, dua të sqaroj se testi me shkrim i ka pasur gjithsej 11 pyetje, që në total shndërrohen në 100 pikë. Pesë nga 11 pyetjet kanë qenë të hapura, të cilat kanë përmbajtur 65 pikë. Në kuadër te transparencës dhe për të qenë korrekt me secilin kandidat, monitoruesit dhe opinionin publik, bordi i ka publikuar të gjitha detajet e vlerësimit. Dallimi në pikë në mes anëtarëve është për faktin se secili anëtar e ka vlerësuar secilin kandidat në mënyrë të pavarur. Dikush nga anëtarët ka mundur ta vlerësojë vetëm përmbajtjen, dikush e ka vlerësuar edhe drejtshkrimin apo renditjen e paragrafëve. Edhe në rastet kur totali i pikëve ka qenë i njëjtë për disa kandidatë, vlerësimi për secilën pyetje përgjithësisht nuk ka qenë i njëjtë. Pra, ka qenë në diskrecion të secilit anëtar për ta vlerësuar dike mbi vlerësimin profesional të tij.”, ka arsyetuar Boletini.
Sipas tij, pavarësisht këtij fakti, nuk ka dallime të mëdha në rezultatet finale, sepse kandidati i parë dhe kandidati i dytë, që kanë dalë më të mirët, dallojnë për 1.3 pikë, ose kandidati i tretë me të katërtin 1.6 pikë.
“Si kurrë më parë, aktualisht, është një bord i cili është tërësisht transparent gjatë të gjitha mbledhjeve dhe që lëshon komunikatë pas çdo mbledhje. Është hera e parë që procesi i konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së është tërësisht transparent dhe ka prani të monitoruesve të ndryshëm. Pavarësisht këtyre fakteve dhe përpjekjeve për një punë të mirë, Bordi i RTK-së sulmohet në mënyrë të vazhdueshme dhe tendencioze, si asnjëherë më parë. Kjo ndoshta që dikujt nuk i kanë dalë matematikat siç i ka menduar se mund të ndërhyjë në punën e bordit. Këto metoda nuk kanë dhënë “rezultate” deri më tani e as nuk do të japin kurrë në këtë bord”, u shpreh ai.
Boletini në këtë status ka përmendur edhe grupe të interesit, shkruan Demokracia.com.
“Kandidatët duhet ta kuptojnë se pozitën e drejtorit nuk mund ta fitojnë përmes takimeve të fshehta me grupe të interesit, përgjërimeve para deputetëve dhe ministrave, por vetëm përmes integritetit, vizionit dhe profesionalizmit, që ata duhet ta tregojnë në intervistë me gojë. Aty do të vlerësohet secili me objektivitet. Aty do të jenë të gjithë monitoruesit që do ta shohin përformancën dhe vlerësimin e secilit kandidat dhe pikët e secilit anëtar”, u shpreh ai.
Ka edhe raste kur përgjigjen e një kandidati, njëri anëtar i komisionit vlerësues e ka vlerësuar me 15 pikë (pikë maksimale), kurse anëtari tjetër i komisionit i ka dhënë 0 pikë për të njëjtën përgjigje.
Në ditën e testimit, komisioni vendosi që të kumtojë vetëm totalin e pikëve të kandidatëve. BIRN e ka bërë kërkesën për qasje në këtë dokumente zyrtare, duke u bazuar në praktikën që aplikohet në konkurset që asistohen nga ekspertët britanikë, në të cilët në mënyrë transparente bëhet poentimi i kandidatëve për përgjigjet e dhëna.
Secili anëtar i komisionit gjatë vlerësimit para vetes ka pasur edhe çelësin me përgjigjet e sakta. Përkundër kësaj, sërish janë evidentuar raste kur poentimi për të njëjtën përgjigje ka dallime të mëdha.
Disa pyetje kanë qenë të mbyllura e disa të hapura, kurse një pyetje ka qenë në gjuhën angleze.
Sa i përket pyetjeve të hapura, në çelësin të cilin e ka poseduar secili anëtar i komisionit kanë qenë të listuara pikat kryesore që kandidati do të duhej t’i përmendte, që një përgjigje të konsiderohej e saktë.
Këto janë dallimet në poentim
Në listën e publikuar nga bordi i RTK-së shihet se tek të gjithë kandidatët ka diskrepancë në poentim. Megjithatë, te disa prej kandidatëve dallimet në poentim janë të mëdha dhe në më shumë se një pyetje.
Për kandidaten Adriana Kutllovci, në pyetjen e 6-të është vlerësuar me 3 pikë nga njëri anëtar i komisionit, kurse nga anëtari tjetër ajo ka marrë maksimumin e pikëve – 15.
Për pyetjen e 6-të edhe kandidati tjetër Arben Berisha nga njëri anëtar ka marrë 3 pikë, kurse nga tjetri 15 për të njëjtën përgjigje.
Për kandidatin Bekim Hasani, në pyetjen e 9-të një anëtar i komisionit përgjigjen e kandidatit e ka vlerësuar me 3 pikë, kurse ka pasur anëtar që e ka vlerësuar me 12 pikë përgjigjen e njëjtë.
Dallim i madh në vlerësim është vërejtur te kandidati Fadil Hoxha, ku në pyetjen e 6-të një anëtar i komisionit e ka vlerësuar me 0 pikë, kurse anëtari tjetër e ka vlerësuar me maksimumin prej 15 pikëve të njëjtën përgjigje.
Edhe te kandidati tjetër Fahredin Shehu, një anëtar i komisionit për përgjigjen e dhënë në pyetjen numër 9 i ka dhënë 9 pikë, kurse anëtari tjetër i ka dhënë 0 pikë. Dallime në poentim kishte edhe te kandidati Fisnik Dërguti. Ai në përgjigjen e dhënë në pyetjen numër 9 nuk ka marrë asnjë pikë nga një anëtar i komisionit, kurse një anëtar tjetër i ka dhënë 8 pikë.
Për pyetjen numër 11, ka anëtar të komisionit që kandidatit Gjergj Filipaj i kanë dhënë 2 pikë, kurse anëtari tjetër përgjigjen e kandidatit e ka vlerësuar me 10 pikë.
Për kandidatin Hysen Hundozi, një anëtar i komisionit përgjigjen e kandidatit për pyetjen numër 10 e ka vlerësuar me 15 pikë, kurse një anëtar tjetër e ka vlerësuar me 6 pikë përgjigjen e njëjtë.
Kandidati Orhan Hajrizi në pyetjen numër 4, nga një anëtar i komisionit është vlerësuar me 0 pikë, kurse nga anëtari tjetër është vlerësuar me 7 pikë.
Kandidati Shkumbin Ahmetxhekaj për përgjigjen e dhënë në pyetjen e 10-të është vlerësuar me 15 pikë nga njëri anëtar i komisionit, kurse ka marrë vetëm 2 pikë nga një tjetër anëtar i komisionit vlerësues.
Valentina Saraçini, kandidatja tjetër, për pyetjen numër 7 nga një anëtar është vlerësuar me 0 pikë, kurse nga disa anëtarë të tjerë me 8 pikë.
Po ashtu, në listën e vlerësimit të kandidatëve vërehen edhe dallime të tjera në vlerësim, të cilat mund t’i shihni në listën e vlerësimit të bashkangjitur në këtë artikull.
Bordi i RTK-së kishte hapur konkurs për pozitën e drejtorit të përgjithshëm pas shkarkimit të Ngadhnjim Kastratit nga detyra.
Kandidatët që e kanë kaluar testin me shkrim pritet të intervistohen nga komisioni vlerësues në përbërje të Besnik Boletini, kryetar, Arta Berisha, nënkryetare, Safet Kabashi, Fatime Lumi – Qehaja, Driton Hetemi, Albulena Mehmeti, Bekim Sele, Shukrije Rama dhe Ivan Raduloviq, të cilët janë duke e udhëhequr procesin e rekrutimit për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës./Demokracia.com/