Izet Haxhia ka dëshmuar sot për vrasjen e Azem Hajdarit në gjykatë, ku ka folur për takimet me Haklajt dhe se çfarë u diskutua në PD.
Gjatë fjalës së tij para togave të zeza, Haxhia tha se nuk e nxori ai në pritë Hajdarin, ish-deputetin e PD-së.
“Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin.”, tha Haxhia.
“Pasi mbërriti në zyrat e PD-së Azem Hajdari, u thirr në zyrë prej Sali Berishës dhe, ky i fundit i tha që të dilte e të merrej vesh me ta! Sali Berisha i shmanget si djalli temjanit thirrjes para gjykatës për të dëshmuar, krahas dijenive të tij për fakte të tjera edhe këtë fakt, domethënë se përse nxori Azem Hajdarin të “merrej vesh” me Fatmir Haklajn dhe me Jaho Mulosmanin, në një kohë që edhe sikur Azem Hajdari të vepronte në kokën e vet dhe të dilte, duhet të ishte pikërisht Sali Berisha që do t’i thoshte atij që të njoftonte policinë për këtë dyshim dhe rrezik që ishte prezent për orë të tëra pranë selisë së PD-së.
Fakti që Berisha, për ta larguar nga vetja rolin e “hijeksit” që bëri, duke e nxjerrë në pritë Azem Hajdarin, krijoi “alibinë” se gjoja Fisnik Sina, i cili ishte ditën e ngjarjes me Sali Berishën, i ka thënë Saliut një ditë pas ngjarjes se kishte hyrë në zyrën e Azem Hajdarit dhe i kishte thënë se para Selisë së PD-së ndodhej një makinë, brenda së cilës ka njerëz të dyshimtë të armatosur!
Madje Sali Berisha vazhdon më tej “alibinë” e tij, duke thënë se në bisedën e datës 13 shtator 1998, një ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, kanë ndarë të dy mendimin sesi kishte mundësi që Azem Hajdari kishte dalë nga zyra dhe kishte shkuar vetë te makina ku ndodheshin vrasësit, në vend që të dërgonte truprojat e tij! I kërkuam gjyqtarit Lazër Sallaku që të thërriste si dëshmitar Fisnik Sinën për të dëshmuar rreth këtij fakti me shumë rëndësi për ngjarjen, mirëpo ky gjyqtar e refuzoi këtë kërkesë të drejtë tonën si mbrojtës ligjor.
Deklarat në ambasadë
Këtë “alibi” Sali Berisha e ka paraqitur me shkrim në datën 16 korrik 1999 në adresë të zotit Robert H. Froëik, i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Në këtë deklaratë Sali Berisha ka dhënë një informacion të rremë për ngjarjen e datës 12 shtator 1998. Mjafton të lexohet me vëmendje kjo deklaratë, për të vërtetuar faktin se Sali Berisha, jo vetëm që ishte në dijeni të një rreziku dhe të një krimi, i cili me shumë gjasa dilte qartë që nuk kishte në objektiv të tij Azem Hajdarin, por ai përpunoi, orkestroi, nxiti, nxori në pritë Azem Hajdarin dhe fshehu, me deklarimet e tij të pavërteta ngjarjen, duke e shfrytëzuar atë në maksimum për interesat e tij personale. Sali Berisha e lidhi këtë ngjarje me Fatos Nanon dhe me Fatos Klosin.
Arriti deri aty sa të shmangë nga kjo vrasje Fatmir Haklajn, duke mos e zënë në gojë kurrë emrin e tij. I shkoi në spital Zenel Nezës, ish-truprojës së Azem Hajdarit, i cili po luftonte me vdekjen, dhe në prani të Ylli Rakipit i tha që të përmendte si “vrasës” të Azem Hajdarit, personin me uniformë të policisë, ish-Shefin e Krimeve në Tropojë, Jaho Mulosmani! Madje e këshilloi Zenel Nezën që nëse pyetej për ekzistencën në vendngjarje të Fatmir Haklajt, të thoshte se e njihte shumë mirë Fatmir Haklajn, por nuk e ka parë në vendin e ngjarjes dhe se ekzekutori ishte Jaho Mulosmani! Për fatin e keq, Zenel Neza, dëshmitari i vetëm okular i ngjarjes i mbetur gjallë edhe pasi me prova bindëse dhe të pakontestueshme u vërtetua se vrasësi i Azem Hajdarit ishte Fatmir Haklaj dhe se Jaho Mulosmani e ka penguar atë, duke thyer madje edhe gishtin e dorës, me qëllim që të mos e ekzekutonte Azem Hajdarin, para prokurores norvegjeze Siri S. Frigaard nuk ka lëvizur nga “istikami” ku e vendosi Sali Berisha, ka mbajtur përsëri qëndrimin e gënjeshtërt se gjoja ekzekutori i Azem Hajdarit ishte Jaho Mulosmani dhe se Fatmir Haklaj nuk ishte fare i pranishëm në vendin e ngjarjes!
Mjafton ky fakt për të vërtetuar disa të vërteta të mëdha: E para, që Sali Berisha ishte i interesuari dhe përfituesi i vetëm nga vrasja e Azem Hajdarit; E dyta, që Sali Berisha, duke e ditur që, pas takimit të Muharrem Haklajt me Azem Hajdarin, si dhe pas sigurimit të provës audio-video ku dilte se cili ishte urdhëruesi i vrasjes së Shkëlqim Haklajt, radha për hakmarrje mbetej te Sali Berisha; E treta, që duke i njohur mirë familjen Haklaj, vlerësoi se duke mos thënë të vërtetën e kësaj ngjarje, do të zbuste sadopak situatën dhe raportet me këtë familje, duke u dhënë të kuptonin se ai, Sali Berisha, nuk kishte asnjë problem, mllef apo qejfmbetje hakmarrëse primitive ndaj Familjes Haklaj…
Leximi i deklaratës së firmosur nga Sali Berisha, dërguar në datën 16 korrik 1999 në adresë të Zotit Robert H. Froëik, i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, faksimilen e së cilës e bëjmë pjesë përbërëse të këtij shkrimi, të vlerësohet nga cilido i interesuar për të vërtetën e ngjarjes dhe pse Sali Berisha është hedhur degë me degë me lloj-lloj insinuatash të pavërteta për këtë vrasje të rëndë politike”.