Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka bërë homazhe në nderim të ish-gazetarit dhe ish-anëtarit të LDK-së, Enver Malokut, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.
Abixhiku tha para gazetarëve se vrasja e tij ka qenë vrasje e ëndrrave të shqiptarëve të Kosovës për liri, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nuk do të mbesim të qetë as ne e as familja, e as një qytetar i Kosovës, derisa të zbardhet tërësisht e vërteta për vrasjen tinëzare të tij. Nderojmë dhe kujtojmë gjithmonë veprën madhështore të tij. Vrasja e Enver Malokut ka qenë vrasje e ëndrrave tona për liri. Atë ditë është tronditur çdo familje shqiptare”, tha ai.
Enver Maloku i cili ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, u vra më 11 janar 1999, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur.
Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në lagjen “Bregu i Diellit”, ai u qëllua me armë zjarri në sytë e gruas dhe të fëmijëve dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.
Pas vrasjes së Malokut rreth 70 gazetarë kishin marshuar në rrugët e Prishtinës./GazetaSinjali/