Gjatë aksionit të sotëm të Prokurorisë Themelore në Ferizaj u arrestuan shtatë persona të dyshuar për korrupsion, sa u përket ndërtimeve pa leje në Brezovicë, raporton Gazeta Sinjali.
Aksioni u zhvillua në nëntë lokacione në Shtërpcë, Prishtinë e Ferizaj, por aty nuk u gjetën edhe katër të dyshuar të tjerë.
Kështu tha prokurori i rastit, i cili bëri të ditur se ky aksion do të vazhdojë edhe pas kësaj date.
Në mesin e personave të arrestuar janë edhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi, i cili është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton Sinjali.
Në prangat e Policisë gjatë aksionit të sotëm përfundoi edhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, i cili po dyshohet për “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Ai bëri të ditur se Prokurori ka sekuestruar vetura e armë, ndërsa nga 21 dhjetori deri më sot janë ngrirë 6 milionë euro, të cilat kanë qenë në pronësi të të dyshuarve dhe të familjarëve të tyre./GazetaSinjali/