Ish-ambasadori i OSBE në Kosovë, gjatë luftës me Serbinë, William Walker, që dokumentoi masakrën e Reçakut është dekoruar nga Bashkia Kavajë dhe Shoqata e të Përndjekurve Anti-Komunistë.
Walker, pasi foli për rolin e tij gjatë luftës së Kosovës, kërkoi që bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës të thellohet, pasi siç tha megjithëse janë dy shtete të ndara, ndajnë të njëjtin shpirt kombëtar.
“Jam gjithmonë i konfuzuar sepse nuk jam një studiues i rajonit, por e di që Shqipëria dhe Kosova janë i njëjti vend, por sot janë realitet i dy shteteve të ndara. Unë jam shumë i lumtur që tani Shqipëria dhe Kosova po kalojnë një periudhë bashkëpunimi”, tha William Walker.
I pranishëm në këtë ceremoni, ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Lideri i demokratëve, teksa vlerësoi figurën e ish-ambasadorit, pohoi se Kosova falë guximit të tij ndërroi faqen e historisë dhe i tregoi botës masakrat që po bënte Serbia.
“Pa qëndrimin tuaj, pa guximin, pa ndershmërinë tuaj, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot. Ndaj dhe ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj jush”, tha Berisha.
Vlerësim pati edhe për dy gazetarët, Ilir Ikonomi dhe Beqir Sina, të cilët në karrierën e tyre kanë shkruar gjatë për Kosovën.