Një aksident i rëndë, me dy tramvaje që janë përplasur “kokë më kokë”, ka ndodhur në Strasburg të Francës, duke lënë të plagosur 20 persona.
Prefektura Bas-Rhin ka konfirmuar numrin e të lënduarve në aksidentin e ndodhur pasdite. Dy tramvajet u përplasën në tunelin që të çon në stacionin e qytetit, saktësohet në njoftimin e prefekturës.
Vetë zjarrfikësit e Strasburgut raportuan një "aksident që përfshinte tramvajet në stacionin qendror në Strasburg", përmes një postimi në platformën ‘X’.
Ata gjithashtu bënë thirrje për shmangien e "zonave të Place des Halles, Gare, Bulevardit du Président -Wilson" në mënyrë që të lehtësohej lëvizja e mjeteve të emergjencës në zonë.
Sipas drejtuesve të Compagnie des Transports Strasbourgeois, dy drejtuesit e tramvajit nuk janë lënduar fizikisht, por kanë mbetur shumë të tronditur. Një hetim do të nisë për kryerjen e një analize nga teknikët e CTS që do të çojë në zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Sakaq, një perimetër i madh sigurie është vendosur përpara stacionit, ku ambulanca të shumta shihen duke transportuar të plagosurit drejt spitaleve të qytetit.
Një video nga një dëshmitar në rrjetet sociale tregon një skenë kaotike me dy tramvaje të dëmtuar rëndë në tunel, në stacion. Një nga tramvajet duket se ka dalë nga shinat për shkak të përplasjes. (A2 Televizion)