Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumentave të fallsifikuar. Gazetari i News24, Osman Stafa, ka siguruar kërkesën që kreu i Grupit Parlamentar të PD-së vë në dijeni SPAK , por edhe Trupin Diplomatik.
Bardhi i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar.
Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, qendrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.
Në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme, Bardhi tregon se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog” ku i shkruan: “Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës së dërguar në SPAK.