Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka siguruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten partner strategjik të saj, për sa kohë që i “merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti i jashtëzakonshëm”, me këtë shtet.
Ky qendrim është shprehur rreth një muaj pas lëshimit të një deklarate publike nga Ambasada amerikane në Prishtinë, në të cilën ndër tjera përmendej “instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e qeverisë”.
“PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në” – thuhet në komunikatën e Policisë, të lëshuar më 29.09.2024.
Policia e Kosovës ka shtuar se ShBA-të kanë realizuar mbi 250 trajnime për mbi 2 mijë e 300 pjesëmarrës nga policia, për gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024.
Prandaj, ajo e ka quajtur Ambasadën amerikane si një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit.
Policia thotë se vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-të dhe Ambasadën Amerikane, që përveç se me trajnime e ekspertizë, kanë investuar edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë.
Madje, sipas komunikatës, Policia ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në ShBA edhe gjatë kësaj jave.
“Trajnimet e ofruara nga SHBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj, trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, ku në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga SHBA-ja për këto njësi. Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, PK-ja në vazhdimësi por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, ka shpjeguar PK-ja.
Ambasada Amerikane ka deklaruar më 30.08.2024, pas operacionit për mbylljen e komunave paralele ilegale në veri të vendit, se instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e Qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës që të „vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”.
Me këtë rast, kjo ambasadë pati paralajmëruar se “veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”.