Kryeministri Albin Kurti ka theksuar kontributin e rreshterit Afrim Bunjaku në zbulimin dhe parandalimin e sulmit terrorist të organizuar nga Serbia.
Gjatë Akademisë përkujtimore për Heroin e Kombit, i cili u vra një vit më parë nga një grup i terroristëve në Banjskë të Zvecanit, Kurti e përshkroi veprimin e Bunjakut si heroik, teksa ka theksuar se ai zbuloi aktivitetet e fundit të agresionit serb.
Njëherit, Kurti ka vlerësuar që veprimet e Bunjakut kanë ndihmuar në dështimin e planit të Serbisë për të kryer një sulm të rëndë.
“Akti i Afrim Bunjakut, zbuloi dhe bëri të dështoi sulmin e shkallës së fundit gjithnjë e agresiv si është fqinji jonë verior. Është hero sepse ne kohën e vet, në funksionet e veta, zbuloi veprimtarinë më të re të agresionit që ka paramenduar, organizuar dhe financuar Serbia. Nga hartat e grupit terrorist u kuptua se qëllimi përfundimtar i tyre ishte një luftë më e gjatë më e gjerë, drejt aneksimit të një pjese të territorit të Kosovës. Kurse dokumentacioni dhe aparatet teknologjike të kapura u sqarua roli i Serbisë në tërë këtë projekt për pushtimin e një pjese të territorit të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti.
Ndër të tjerash, kryeministri ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj 45 personave, është denoncim ndaj një tentative të dështuar të Serbisë, për të realizuar terrorizëm shtetëror, e për të aneksuar veriun.
“Aktakuza nuk është një vetëm një kusht juridik dhe një përpjekje për drejtësi por edhe një denoncim ndaj një tentative të dështuar në trajtën e një terrorizmi shtetëror të Serisë për aneksimin e veriu të Kosovës”, ka theksuar Kurti.