Milot Mehmeti, ekspert i teknologjisë së kriptovalutave e ka komentuar vendimin e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilin e ka quajtur si vendim jo të duhur, shkruan Gazeta Metro.
Ai ka thënë se për të marrë këso vendimesh duhet studim i thellë paraprakisht teksa edhe ka shpjeguar se përse e sheh këtë vendim si jo të duhur.
“Mendoj se për këto vendime duhet me pas një studim më të thellë dhe një analizë dhe nuk po e shoh që kas qenë e mundur kjo që është bërë për një kohë kaq të shkurtër nga fundviti nga Komiteti e deri sot. Kështu që nuk e shoh si vendim të duhur, sepse duke qenë pjesë që nga viti 2015 i teknologjisë në këtë fushë e kam parë që komuniteti është rritur gjatë gjithë kohës meqë jemi gjeneratë e re”, ka thënë ai.
Mehmeti ka dhënë edhe statistika për përdorshmërinë e internetit si dhe përdoruesve të kriptovalutave.
“E kemi përdorshmërinë e internetit gati më të madhen në rajon e ndoshta edhe në botë për kokë banori për prodhim të kriptovalutave por edhe për përdorim të internetit në përgjithësi. 30-40 mijë përdorues janë aktiv të kriptovalutave. Tash nuk e di qysh kanë me mujt me ndalu atë. Ke nisma që me u tatu dhe me u bë legale por tash u mor vendimi tjetër”, deklaroi Mehmeti.
Tutje, Mehmeti, ka thënë se ka shumë gjëra që është dashur të ndaloheshin para kriptovalutave duke thënë se ato nuk shpenzojnë shumë energji elektrike.
“Ka shumë gjëra tjera që duhet të ndalohet para se të vie tek kriptovalutat. Kriptovalutat nuk janë diçka që shpenzohet dhe shkon në ajër siç janë gjërat e tjera. Për shembull për prodhimin e tyre shpenzohet diku 0.5% e prodhimit të energjisë elektrike në botë. Kështu që nuk është ndonjë shumë e madhe nëse e krahasojmë me sistemin bankar që shpenzon deri tri herë më shumë”, ka thënë në T7 ai. /gazetametro.net