11/24/2024 9:28:06 AM

25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s që gjunjëzoi Milloshevicin, gjenerali Clark: Jam krenar për operacionin

Duhet të lexoni

25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe. Gjenerali Clark thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës me rastin e këtij përvjetori, se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ka kaluar një çerek shekulli që kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të ndaluar spatrimin etnik. Ju ishit komandant i lartë i NATO-s në atë kohë, (drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999), cilat janë reflektimet tuaja tani, pas 25 vjetësh?

Gjeneral Wesley Clark: Jam krenar për veprimet që ndërmori NATO-ja në atë kohë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. NATO veproi duke përdorur minimumin e forcës, duke marrë çdo masë parandaluese për të shmangur lëndimin e civilëve të pafajshëm dhe megjithatë e përmbushi synimin për t’i dhënë fund spastrimit etnik.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, në atë kohë pati shumë debat në rang ndërkombëtar, pasi ndërhyrjet humanitare nuk ishin diçka që ndodhte shpesh. Në një vështrim retrospektiv, si e shihni sot këtë lloj ndërhyrjeje në përgjithësi, si çështje e marrëdhënieve ndërkombëtare?

Gjeneral Wesley Clark: Do të thosha se ishte një ndërhyrje e nevojshme e cila u krye në mënyrë rigoroze (posaçërisht) për qëllime humanitare dhe e përmbushi misionin e saj.

Zëri i Amerikës: Kur e shihni sot Kosovën, a është ashtu siç e kishit imagjinuar para 25 vjetësh se do të ishte?

Gjeneral Wesley Clark: Ajo që dinim në fillim të fushatës, ishte se do të angazhonim forcat e NATO-s. Në atë kohë nuk e dinim që serbët do të largoheshin plotësisht. Nuk ishte kurrë synimi ynë që të ndanim Kosovën, në asnjë lloj mënyre, apo të ndikonim që ajo të bëhej e pavarur.

Por veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë fushatës, vrasja e pamëshirshme e civilëve, përpjekjet për të shkatërruar pronat e shqiptarëve të Kosovës, sjellja brutale e fqinjit kundër fqinjit në këtë fushatë, e bëri realisht të pamundur që serbët të qëndronin.

Prandaj NATO-ja e bëri si një nga prej objektivave të saj, që forcat serbe duhet të largoheshin. Më pas Kosova u mbikqyr nga ndërkombëtarët, nën drejtimin e OKB-së dhe pastaj vendosi se duhet të ishte e pavarur.

Por të them të vërtetën, gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme, sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, të flasim mbi situatën aktuale të cilës juve iu referuat dhe veçanërisht marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova ka qenë një prej vendeve më pro-amerikane dhe kjo në masë të madhe edhe falë ndërhyrjes që juve drejtuat atëherë. Por tani, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ose së paku mes dy qeverive, janë në pikën më të ulët. Cili është mendimi juaj për këtë? Pse kanë arritur në këtë moment dhe çfarë mund të bëhet për të tejkaluar këtë situatë?

Gjeneral Wesley Clark: Unë i shoh gjërat nga jashtë, nuk jam në brendësi të tyre, ndaj është pak e vështirë të komentoj mbi këtë. Por është e rëndësishme të kuptohet se dy shtete që janë krah më krah, Kosova dhe Serbia, nuk mund t’i çojnë përpara marrëdhëniet nëse vazhdojnë të përfshihen në konflikt mes tyre. Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar. Por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.

Por kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiç në Serbi. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm dhe që ka mundësinë më të madhe për fleksibilitet në këtë rast, mundësitë më të mëdha për kompromis. Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide. Është një pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë.

Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Millosheviç në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit ’98 e cila parashihte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova.

Presidenti Millosheviç tha në mënyrë të prerë: “E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë”, tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha “i vrasim të gjithë”.

Në këtë kuptim, i vetmi rezultat për këto tensione historike me rrënjë të thella, ishte ndarja në dy shtete. Dhe tani, dy shtetet, duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar, për të përparuar, për të bashkëpunuar me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të tyre. Kjo është një sfidë, është një sfidë shumë e vështirë që duhet të kapërcehet. Kujtimet janë ende të freskëta për të dyja palët dhe mendoj se kjo është diçka që nuk mund të bëhet e sforcuar, duhet të vijë natyrshëm.

Problemi është se veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës e kanë vështirësuar edhe më tej situatën, sepse gjithkush e kupton se Serbia ka një lidhje historike me Rusinë dhe Rusia po e përdor Serbinë për të përgatitur terrenin që nëse shënon sukses në Ukrainë, të shkaktojë kaos më të madh përsëri në Ballkanin Perëndimor. Kjo dihet.

Zoti Vuçiç duket i dyzuar mes dy alternativave: Të rreshtohet në krah të Perëndimit apo të mbajë marrëdhënien historike vëllazërore me Rusinë. Mesa duket ai po përpiqet t’i ketë të dyja. Së paku kështu duket nga jashtë. Po duke e parë nga jashtë, duket se populli i Kosovës, një vend më i vogël, varet nga mbështetja e huaj, nga Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë për të mbijetuar dhe për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Në një fare mënyre duhet të tregohemi të duruar. Duhet të vazhdojmë përpjekjet mbi këtë situatë. Duhet të kuptojmë se zgjidhja e çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e pavaruar nga rezultati i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ju përmendët kontekstin e ri gjeopolitik pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Duke marrë parasysh se ka kritikë të cilët thonë se është pikërisht kjo arsyeja se përse po bëhet më shumë trysni ndaj Kosovës, në mënyrë që të mos shtohen sfidat, cili është mendimi juaj. A bini dakord me këto qëndrime?

Gjeneral Wesley Clark: Mendoj se trysnia ndaj Kosovës nisi gjatë administratës së Presidentit Trump, ku të dërguarit e Shteteve të Bashkuara në Ballkan donin të shënonin një sukses diplomatik. Dhe pikërisht aty nisi trysnia. Tani, me luftën (në Ukrainë), sigurisht që është normale dhe e natyrshme që Perëndimi kërkon ta shohë të zgjidhur këtë çështje, ta shohë Serbinë plotësisht në kampin e Perëndimit dhe të lidhur me Bashkimin Evropian në mënyrën më pozitive të mundshme. Por pikërisht për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës kjo ka pak gjasë që të ndodhë. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë janë të lidhura me atë që ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe këto probleme pasqyrojnë tensionet më të mëdha gjeopolitike në rajon.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ju e njihni ambasadorin amerikan në Serbi, Chris Hill prej një kohe të gjatë, që nga koha e ndërhyrjes (së NATO-s). Dy ditë më pare ai tha se tani “Serbia është më afër me NATO-n sesa Kosova. Kemi patur stërvitje të përbashkëta dhe shumë gjera më ushtrinë serbe. Tani punojmë shumë më shumë së bashku (me Serbinë) sesa me UÇK-në apo çfarëdo që ka dalë prej saj”. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë.

Zëri i Amerikës: A mund të shpreheni më konkretisht?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se ajë që thotë ai është absolutisht e vërtetë.

Zëri i Amerikës: Që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe se sa me Kosovën?


- Hapsirë reklamuese - Metro Real Estate

Më shumë

Showbiz

Dedikim për Xhensilën? Bes Kallaku thyen HESHTJEN pas zhurmës në rrjet me këngët e tij!

Bes Kallaku, një prej emrave më të përfolur të momentit në showbiz-in shqiptar ka folur për herë të par&e ...

Xuxi, Vullnetit: Boll burrë ke dalë, hallall të qoftë që u puthe me Gresën

Xuxi e ka biseduar me Vullnetin puthjen që ky i fundit e shkëmbeu me Gresën.Ai i tha Vullnetit se “boll burrë ke dalë q ...

“Me ta kallë krejt lojën”, Gresa dhe Vullneti bëjnë planin e ri

Gresa e Vullneti kanë biseduar për një plan të ri brenda shtëpisë më të famshme në vend.Ai i propozoi Gre ...

Jetë / Stil

Nuk është paraja! Studimi i fundit tregon se çfarë i bën njerëzit të lumtur

“Jemi kafshë sociale”, thoshte Aristoteli mijëra vjet më parë. E jeta nuk ka ndryshuar shumë që atëher& ...

Ndryshimi i orës po dëmton shëndetin e njerëzve – ekspertët ngrenë alarmin: Të mbahet gjithmonë ora dimërore

Në orën 03:00 të mëngjesit, në datën 27 tetor, akrepat e orës do të kthehen 60 minuta mbrapa, duke shënju ...

5 përfitimeve të rozmarinës: ilaçe natyrale për shëndetin dhe mirëqenien tuaj

Rozmarina është një barishte që është dashur me shekuj, jo vetëm për cilësitë e saj aromatike, por e ...

Sport

Shqipëria gjobitet rëndë nga UEFA

Shqipëria u gjobit për shkak të hedhjeve të sendeve në fushë nga tifozët “kuqezi” dhe për transmet ...

Arsenali mposhtet nga Newcastle United

Arsenali është mposhtur 1-0 në udhëtim te Newcastle United në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 10-të në Lig&eu ...

Liverpooli shënjestron dy sulmues për ta zëvendësuar Salahun

Mohamed Salah ka hyrë në vitin e tij të fundit të kontratës në “Anfield” dhe Liverpooli ka shënjestruar ...
- Hapsirë reklamuese - Brain Inside Sh.P.K

Të fundit

- Hapsirë reklamuese - Metro Real Estate