Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutas, sot ka pritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrat qendrore në Prishtinë, Camp Film City.
Në njoftimin për këtë takim, KFOR tha se në takim u diskutua mbi nevojën për koordinim dhe bashkëpunim mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës.
“Gjeneralmajor Ulutas theksoi nevojën thelbësore për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve”.
Gjithashtu, siç thuhet në njoftimin në X, Ulutas ritheksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij në OKB. Ai gjithashtu nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë së KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ndryshe për siguri foli edhe zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka treguar nëse SHBA-ja sheh ndonjë lidhje midis sulmit në Banjskë dhe shtetit të Serbisë.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi. Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit [kur ndodhi sulmi në Banjskë], ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Escobar ka folur edhe për faktin se Radoiçiq po endet i lirë nëpër Serbi.
“Mendoj se është e papranueshme. Ne kemi thënë, publikisht dhe privatisht, se ai duhet të dalë para drejtësisë. Se ai është një i kërkuar ndërkombëtar nën sanksione amerikane dhe nuk ka vend për të si njeri i lirë. Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës. Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, u shpreh Escobar.
Nuk e di për Kosovën, tha Escobar, “por hetimet janë duke vazhduar, janë duke vazhduar me kompetencë”.
Emisari amerikan tha se derisa Kosova e injoron rrugën europiane, “që është dialogu, dhe i injoron rrugët evropiane që udhërrëfyesit po ua japin – që është Marrëveshja bazë, Aneksi [ i zbatimit] dhe tani statuti i Asociacionit – Evropa po thotë se Kosova nuk po punon me Evropën”.
“Prandaj, keni masa [ndëshkuese] evropiane, veç tjerash. Pra, duhet t’i heqim masat. Ne kemi nevojë që ju të arrini të merrni kandidaturën dhe ne kemi nevojë që ju të anëtarësoheni te Partneriteti për Paqe, urgjentisht përpara se ta humbim këtë mundësi historike. Tani, injorimi i dialogut po ju largon më shumë nga ajo rrugë”, tha ai.