Ditëve të fundit, është raportuar se Rusia ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për disa zyrtarë të njësive elite të Policisë së Kosovës, ku si pretekst është marrë arrestimi i një zyrtari rus të UNMIK-ut, gjatë një operacioni policor kundër kontrabandës dhe aktiviteteve kriminale.
Veprim ky, i cili nga ekspertë të sigurisë po konsiderohet i padrejtë dhe i pakuptimtë.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se ky veprim i Rusisë pasqyron ‘fytyrën’ e vërtetë të presidentit rus, Vladimir Putin, të cilin e quan despot.
Sipas tij, krejt kjo ka prapavijë politike.
Edhe hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus, Taulant Elshani thotë se ky është një veprim absurd dhe i padrejtë. Kjo pasi siç thotë ai, në vitin 2019 në veturën e rusit që është arrestuar nga Policia e Kosovës janë gjetur mjete pune për të cilat është vërtetuar se kanë qenë për t’u përdorur në ngritjen e barrikadave ilegale në veri të Republikës së Kosovës.
E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, në seancën e Kuvendit, të enjten ka thënë se tre zyrtarët policorë janë futur në listën e INTERPOL-it. Derisa ka thënë se arsyeja e vetme e kësaj është që të njëjtit kanë zbatuar ligjet e Kosovës, Qalaj iu ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masa.
Në listën e Rusisë janë komandanti i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, ‘FIT’, Alban Jetullahu dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.
ASNJË REAGIM NGA ALBIN KURTI
Përkundër lajmit shqetësuese se Rusia ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për tre zyrtarë policor të Kosovës, ende institucionet e vendit s’kanë dal me ndonjë reagim.
Përveç ministrit Xhelal Sveçla që ka thënë se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por siç është shprehur ai, kjo nuk është brengë e tij e as e Ahmetit.
“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare, por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, kishte deklaruar Sveçla.
Por, deri më tani, nuk kemi pasur asnjë reagim nga kryeministri i vendit, Albin Kurti në lidhje me këtë.
Me lëshimin e këtij fletarrestimi, Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it.