Zëvendës kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, gjatë vizitës së tij në Vatikan si i ftuar nderi për festat e fundvitit, ka takuar ditën e sotme Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.
Abazoviç teksa ka shpërndarë disa foto me Papën në rrjete sociale, bën me dije dhe bisedën që pati me të. Ai thekson se e ftoi Papën të vizitojë Malin e Zi, si dhe mori prej tij bekimin për të vijuar punët e mira në shërbim të vendit.
“Unë isha i vetmi zyrtar i lartë si i ftuari i nderit në Audiencën speciale të fundvitit që ka rëndësi unike për botën e krishterë. Në fund të saj, Ati i Shenjtë zbriti shkallët dhe më përshëndeti në mënyrë të veçantë. E ftova në Mal të Zi, i thashë se ne jemi një vend i veçantë i bashkëjetesës ndëretnike, ndërfetare, ndërgjuhësore. Unë vij nga Ulqini, ku ka një komunitet katolik që po vuan pasojat e kohës që jetojmë- emigracionin, mungesën e kuadrit fetar, etj. E ftova Atin e Shenjtë të vizitojë Malin e Zi prej nga vjen Emilio Ognjanovic.
Papa tha se ‘kam dëgjuar për Malin e Zi nga vjen njeriu që më ka urdhëruar Peshkop’. Ai më dha bekimin për punët e mira që duam të bëjmë në shërbim të vendit tonë, të stabilitetit të vendit. Ati i Shenjtë u përshëndet ngrohtësisht dhe me ekipin tim, me nënkryetarin e Urës, prej Tivarit, Goran Gjurovic, qytetit të veçantë, që ka trashëgimi multifetare të rëndësishme. Në fund të takimit, erdha në misionin e Malit të Zi, në Vatikan për një takim zyrtar”, është shprehur Abazovic.