Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njoftoi se gjatë monitorimit të një procesi të provimit për patentë shoferë u kap një person me kufje dhe kamerë.
Ai ka shkruar në Facebook se këto mjete i dyshuari i ka shfrytëzuar me qëllim të dhënies së provimit në kategorinë C, duke shtuar se Komisioni Monitorues pasi i ka vërtetuar dyshimet, e ka njoftuar Policinë dhe është iniciuar rast.
“Jemi të vendosur dhe të përkushtuar që të ndalojmë secilin keqpërdorim të mundshëm në fushën e patentë shoferit dhe nuk do të tolerojmë askënd të bëjë veprime të tilla. Ndaj kandidatit në fjalë do të ndërmerren masa sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi dhe të njëjtit do t’i ndalohet hyrja në provim për 3 vite”, ka shtuar Durmishi.
Zëvendësministri ka theksuar se të gjitha keqpërdorimet do të ndalen.
Ai ka shkruar ditë më parë se keqpërdorimet në dhënien e testit për patentë shoferë janë të shumta.