HBA- Sekretari amerikan i Shtetit do të vizitojë javën e ardhshme Shqipërinë. Ndonëse u raportua edhe më herët në media ardhja e tij në Tiranë, DASH ka konfirmuar përfundimisht se Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt.
"Blinken do të vizitojë Shqipërinë, një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo vizitë ka për synim që të riafrimojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën. Në Gjermani, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike, bëri të ditur DASH.", thuhet në njoftimin e DASH.
njoftimi
Kjo do të jetë hera e parë për Blinken në Tiranë, ndërsa do të shënojë vizitën e gjashtë të një sekretari shteti të SHBA-së në Shqipëri.
Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar.
Në 2 maj 2003, Colin Powell u prit asokohe nga kryeministri Fatos Nano, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta. Hilary Clinton më 1 nëntor të 2012 vizitoi gjithashtu Tiranën, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016.