Autobusët e “Trafikut Urban” tashmë do të jenë të pajisur me Wi-Fi, duke u mundësuar udhëtarëve të shfrytëzojnë falas shërbimet e internetit.
Kryeshefi i “Trafikut Urban”, Burim Maraj, ka deklaruar para gazetarëve se kostoja e këtij shërbimi është 2 mijë euro në muaj, ndërsa pajisjet janë dhuruar falas nga IPKO.
Ai shtoi se ky lajm është pritur mirë nga udhëtarët.
“Sot të gjitha shtresat e qytetarëve mund ta shfrytëzojnë Trafikun Urban për transport e me të edhe internetin pa pagesë. Është diçka që është pritur shumë mirë kur e kemi dhënë lajmin vitin e kaluar. Ta gëzojmë të gjithë”.
Maraj po ashtu përmendi flotën prej 30 autobusëve të rinj, të cilët tha se shpreson që të vijnë deri në fund të këtij viti.
“Shpresoj që autobusët e rinj të vijnë deri në vitin 2024. Jam I angazhuar që ky proces të përshpejtohet edhe në fund të vitit të kemi flotën e 81 autobusëve. Pra 51 autobusëve që i kemi të i shtohen edhe 30 autobusë të rinj e në këtë mënyrë të kemi mundësi të ofrojmë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët”.
“Kemi fëmijë dhe të moshuar që e përdorin autobusin tonë. Ne kemi filluar bashkëpunimin edhe me ndërmarrje të mëdha që për punëtorët e tyre të kemi lehtësira dhe ata të shfrytëzojnë transportin publik si mjet për hyrje-dalje nga qyteti”, deklaroi ai.