Qeveria e Kosovës ka zgjeruar platformën “Super Puna”, duke subvencionuar tashmë punësimin e të rinjve nga mosha 18 deri në 29 vjeçare, nga 25 sa ishte më parë. Kryeministri Albin Kurti, tha se përmes platformës ‘Super Puna’, vitin e kaluar janë punësuar rreth 9400 të rinj dhe të reja, nga të cilat rreth 67 për qind prej tyre iu janë vazhduar kontratat nga bizneset.
Kurti tha se zgjerimi i grup moshës përfituese të kësaj platformë do të nxis edhe më shumë punësimin e të rinjve.
Detaje më të mëdha për zgjerimin e platformës ‘Super Puna’ dha ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha përveç rritjes së kriterit të moshës përfituese, do të vazhdohet me kushtet e njëjta, mënyrën e subvencionimit, formën dhe kohëzgjatjen ashtu siç ka qenë në të kaluarën.
Krahas kësaj, ai tha aktualisht janë mbi 62 mijë të rinj dhe të reja në treg të punës.
“Super puna”, është platformë punësimi e krijuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, e cila lehtëson qasjen e të rinjve në tregun e punës dhe ndihmon bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj. Subvencionimi nga qeveria bëhet në vlerë 264 euro në muaj, në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.
/KosovaPress/