Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se në fshatin Vranisht të Dragashit, kanë mbyllur katër komuna paralele, ku ai thotë se janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit e Dragashit.
Në këtë fshat Krasniqi ka qëndruar bashkë me ministrin e Brendshëm Xhelel Sveçla.
“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, thuhet në njoftimin e Krasniqit.
Në zyrën në Dragash mësohet se është gjetur edhe një fotografi në të cilën shihet deputeti Adem Hoxha. Ai vepron si deputet i Partisë Unike Gorane, por në shumë raste ka shërbyer në grupin parlamentar të Listës Serbe. Siç pati shkruar “politika.rs” në vitin 2016, Hoxha ka qenë kryetar i komunës paralele të Gorës.KOHA i ka dërguar pyetje Hoxhës për rastin. Sapo të ketë përgjigje artikulli do të përditësohet.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Prokurorisë në Prizren.