Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shtuar një pyetje për Qeverinë e Kosovës se “kur do të zhbllokohen fondet për Kosovën nga Bashkimi Evropian”, shkruan Reporteri.net.
Reagimi i tij vjen derisa në Komisionin për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se edhe brenda vendeve të BE-së ka paqartësi rreth mekanizmit për largimin e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës tash e sa muaj.
Hoti, ka publikuar një listë të projekteve që thotë se mbeten të bllokuara nga BE-ja.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Kur do të zhbllokohen 295 mil euro fonde për Kosovën nga Bashkimi Evropian? Këtë përgjigje duhet dhënë Qeveria në Komisionin Parlamentar.
Çfarë politike e Qeverisë është kjo: edhe sanksionet i bartim, edhe asociacionin e pranojmë bashkë me zgjedhjet e reja në veri.
Ja lista e projekteve të bllokuara:
92 mil euro: rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimeve të Prishtinës
9.95 mil euro: menaxhimi i mbeturinave dhe ekonomisë rrethore
9 mil euro: menaxhimi i integruar ndërkomunal i mbeturinave në rajonin e Dukagjinit
7.2 mil euro: përmirësimi i rrjetit të transmisionit, faza VII
7 mil euro: mbështetja e institucioneve të ndryshme për t’iu qasur politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së si dhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
6 mil euro: mbështetja e kthimit të komuniteteve dhe ri-integrimi i tyre në shoqëri
3 mil euro: efikasiteti energjetik në ndërtesat publike në komuna
3 mil euro: qasje e barabartë e vajzave dhe djemve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsimin para fillor, fillor dhe të mesëm
2.5 mil euro: përmirësimi i përfshirjes sociale për gratë dhe burrat nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë
2 mil euro: rrjeti për grumbullimin e kanalizimeve dhe ujërave të stuhisë në Prishtinë
1 mil euro: programe të vullnetarizmit për të rinjtë dhe të rejat.
0.8 mil euro: përkrahja e profesioneve juridike
0.35 mil euro: studimi i fizibilitetit për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj
0.35 mil euro: studimi i fizibilitetit për impiantin e ujërave të zeza në Podujevë