Që prej mëngjesit të së mërkurës, në dy komunat në veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut dhe të Leposaviqit nisi mbledhja e firmave nga ana e serbëve për peticionin që do të mundësojë shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Në Mitrovicë, serbë të shumtë u mblodhën në Pallatin e Sportit. Të organizuar nga Lista Serbe, ata duhet të mbledhin së paku firmat e 20 përqind të votuesve për të mundësuar zgjedhjet e reja.
Në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 firma, ndërsa në komunën e Leposaviqit duhet të mblidhen të paktën 2.689 votues duhet te nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të Shtatorit 2023.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 përqind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.