Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit të përzemërt e vëllazëror u shtruan për diskutim çështje të ndryshme që lidhen me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, si dhe u shkëmbyen pikëpamje me theks të veçantë rreth zhvillimeve aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.
Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe frytet e bashkëpunimit të deritashëm, derisa shprehu mirënjohje për kontributin e pazëvendësueshëm që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat shtetformuese, shtetndërtuese dhe proceset eurointegruese.
"Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi nevojën për bashkërendim të hapave në mënyrë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar përballë sfidave rajonale e globale", thuhet në komunikatë.
Ndërsa ministri Hasani, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë për mbështetjen e Republikës së Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, integrimit euroatlantik dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.