Shqipëria ka përfunduar mandatin e saj dyvjeçar si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit. Ministri i Jashtëm, Igli Hasani tha se Shqipëria ka luajtur një rol dinjitoz dhe se ka arritur të jetë një zë i fortë dhe i besueshëm në Këshillin e Sigurimit, duke rritur profilin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa Shqipëria përfundon mandatin e saj të parë dyvjeçar si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit, dëshiroj të ndaj, me një krenari të veçantë, këtë mesazh nga kjo Dhomë, ku gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka punuar së bashku me anëtarë të tjerë dhe ka luajtur një rol aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
E udhëhequr nga parimet dhe vlerat e saj, Shqipëria ka luajtur një rol dinjitoz, i cili është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë miqtë dhe aleatët, si dhe nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.
Ne bëmë pjesën tonë duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi, edhe nëse kjo do të thoshte t’u dilnim përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë.