Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova po përmbyll vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.
“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, theksoi ajo.
Ajo tha se nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.
Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hecegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Çitaku.
Nënkryetarja e PDK-së tha po ashtu se politika e jashtme e Kosovës këtë vit ishte inekzistente, por sipas saj, me mbajtjen e zgjedhje të reja kjo mendësi do të marrë fund.
“Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”, përfundoi Çitaku.