Një vit më parë Sali Berisha përdori Air Albania, për të treguar se ka forumet e PD-së, edhe pse i mbushi ato me fansa e njerëz pa lidhje me strukturat reale të Partisë Demokratike. Madje u tall me Lulzim Bashën, i cili Kuvendin e mbajti në Pallatin e Kongreseve. Po sot, Berisha bëri të njëjtën gjë, e sado që në televizionet pro tij nuk tregohet, thuajse më shumë se gjysma e sallës është bosh. Pra, jo struktura, po Berisha nuk ka as ndjekës.
“Mos na numëroni sa jemi, por lexoni idealet që kemi”, nisi fjalën e tij Luciano Boçi në Kuvendin Kombëtar të mbledhur sot nga Sali Berisha, duke i paraprirë kështu komenteve mbi faktin e pakundërshtueshëm: Lideri historik i Partisë Demokratike po humbet ndjeshëm terren.
Ndërsa në kuvendin e dy viteve më parë, kreu i Rithemelimit arriti të bashkojë shumicën e delegatëve të PD, duke arritur mbi 5000 vetë prezent në stadium, këtë vit duket se as 500 njerëz nuk ka arritur të mbledhë.
Pamjet tregojnë qartë boshatisjen e sallës... por edhe zyrtarisht, në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, PD e vulës deklaronte 4920 delegatë, sot pas dy vitesh zyrtarisht numërohen 1600 delegatë.
Megjithatë Berisha duket se është mësuar me këtë rezultat, pasi edhe në zgjedhjet lokale të disa muajve më parë, ai dhe aleati i tij politik, Ilir Meta u braktisën masivisht nga shqiptarët.
Pavarësisht kësaj ai bëri sot deklarata të guximshme për një politikan që numëron kaq pak ndjekës. “Mosbindja civile është betimi ynë. Ky do të jetë aksion opozitar pa kthim", tha Berisha teksa ftoi për pjesëmarrje në këtë nismë të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë.