Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar në trafik, pas reshjeve të dendura të borës që kanë nisur gjatë natës së mbrëmshme e kanë vazhduar edhe sot.
Nga policia kanë bërë të ditur se qarkullimi nëpër rrugë është vështirësuar, teksa është përmendur se qysh para dy javësh është kërkuar që drejtuesit e automjeteve të kenë pajisje dimërore në veturat e tyre.
“Tani, duke qenë se bora e parë ka filluar të bije, në rrugë ka borë e gjatë natës për shkak të temperaturave të ulëta mund të ketë edhe akull. Kërkohet kujdes i shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik me theks të veçantë drejtuesit e automjeteve”, thuhet në komunikatën për media.
Ndërkohë, qytetarët në vazhdimësi po raportojnë se gjendja e rrugëve nuk është mirë dhe kanë bërë thirrje te autoritetet që intervenojnë për t’i pastruar ato.
Nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet se për shkak të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa rrugë e madje edhe në dy autostradat “Abën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, si dhe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Pavarësisht këtyre raportime, Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka deklaruar gjatë ditës se pavarësisht borës që ka rënë, të gjitha rrugët në pikat kufitare janë të kalueshme.
Sipas të dhënave të publikuar nga kjo qendër, magjistralet që shpien në kufi, janë të kalueshme, nuk raportohet për borë, akull, mjegull apo rrëshqitje dheu.
Edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme.
Durmishi ka pohuar se që nga orët e hershme të mëngjesit janë në terren.