Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.
Në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024.
Mbledhja nis në orën 15:00.
Në mbledhjen e kaluar, Qeveria e Kosovës të së premtes ka marrë një numër vendimesh dhe ka bërë një varg emërimesh.
Në mbledhjen e së premtes, Qeveria ka propozuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e së premtes.
Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.
Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”.
Kurti ka thënë se ky vendim është marrë duke e pasur parasysh situatën e tensionuar në veri të Kosovës, dhe shtesat do të vazhdojë sa të jetë e nevojshme.