Profesori Sadri Ramabaja, ka ‘vajtuar’ për diktatorin Enver Hoxha, duke thënë që për fat të keq nuk ka sot një Enver Hoxhë në Shqipëri, shkruan Gazeta Metro.
Derisa po debatohej në T7 rreth ‘Open Ballkan’, Sadri Ramabaja, ka ‘vajtuar’ për Enver Hoxhën.
Gjatë gjithë emisioni Ramabaja, ka insistuar që ta shmang fjalën tradhti për Edi Ramën, duke përmendur këtu ish-funksionarin e partisë Koçi Xoxe.
Ramabaja tha se Edi Rama po i duket si Koçi Xoxe, pasi ka nënshkruar marrëveshjet me Serbinë në mes të Tiranës.
Në këtë debat, profesori Blerim Latifi e ngacmoi duke thënë se nëse Rama është Koçi Xoxe, atëherë kush është diktatori Enver Hoxha.
“S’ka për fat të keq”, ka qenë përgjigja e shkurtër e Ramabajës.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, u dënua nga Enver Hoxha si bashkëpunëtor i jugosllavëve. Më 28 nëntor të vitit 1948, ai arrestohet dhe disa muaj më pas, në maj të vitit 1949, Xoxe pushkatohet.
Eshtrat e njeriut që ishte numri dy në hierarkinë e pushtetit, pas Enver Hoxhës, ende nuk janë gjetur. /gazetametro