Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron ta fus Serbinë në luftë me NATO-n.
“Përfundimi është se Kurti nuk do të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në një mënyrë apo tjetër. Kurti do luftë”, tha Vuçiç, në një intervistë për televizionin pro qeveritar TV Pink.
“Kurti dëshiron të jetë një udhëheqës lufte, sepse kjo është ajo që i mungon në rezymenë e tij. Dhe të gjithë e dinë këtë. Por ai e di se nuk mjafton që dëshiron, sepse duhet të na përfshijë në konfliktin në NATO”.
Vuçiç shtoi se “Serbia tani duhet të jetë e kujdesshme”, derisa e ka akuzuar Turqinë se po e furnizon me armë Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Turqit e armatosën FSK-në në mënyrë shumë serioze, e cila nuk guxon të ndodh sipas Marrëveshjes së Kumanovës. Kosova po ndërtojnë ushtrinë e tyre, e cila nuk duhet të ekzistoj”, ka pretenduar ai.
Kreu i shtetit serb theksoi se turqit kanë siguruar mortaja dhe automjete të blinduara për FSK-në.
Ai ka treguar po ashtu se Serbia ka refuzuar të blejë transportues me flamur turk, pasi sipas tij, me të tillë u furnizua FSK-ja.
“Brenda pesë muajve do të mbërrijnë disa qindra dronë, të cilët i morëm në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.