Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk pret marrëveshje me Serbinë, derisa ajo të jetë hegjemoniste dhe brenda koordinatave të kohës së kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Konjufca tha se qëndrimet e palëve për sa i përket çështjes së Asociacionit janë diametralisht të kundërta, teksa shtoi se ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizmi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.
“Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, është shprehur Konjufca.
Ai foli edhe për shkarkimin e ekipit menaxhues të cilët e kanë hartuar draft-statutin e Asociacionit që u prezantua në Bruksel, duke thënë se Kosova bëri “shumë mirë” që e shkarkoi atë ekip.
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan”, tha ai për kp.
“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministër i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ishte themeluar për hartimin e statutit të Asociacionit. Ky ekip të martën ka prezantuar draft-statutin e Asocicionit gjatë takimi të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel.
Kështu kishte bërë të ministri Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook.
Ai ka thënë se vendimi vjen pas prezantimi të draft-statuti që u bë të martën në Bruksel në takimin e kryeministrit Kurti me presidentit serb, Vuçiq.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujicic, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkovic.” – thuhet në reagimin e ministrit.