E ashtuquajtura zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, është deklaruar lidhur me mundësinë e moslejimit të mbajtjes së referendumit në Kosovë ku kanë thënë se e kanë njoftuar Brukselin dhe vendet e QUINT-it për refuzimin e kryeministrit, Albin Kurti, për ta mundësuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Gjegjësisht, në prag të mbajtjes së referendumit për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë në pjesën që ka të bëjë me gjyqësorin, i paraparë të mbahet më 16 janar të vitit të ardhshëm. Media B92 ka paralajmëruar se ai s’do të mund të mbahet në Kosovë.
Edhe vet Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vucic para pak ditësh e ka pranuar se ka informacione jozyrtare që Prishtina nuk do të lejojë mbajtjen e referendumit si dhe ka thënë se do t’i kërkojë Brukselit ushtrim të presionit ndaj Kosovës.
Qytetarët në Serbi do të deklarohen përmes referendumit me 16 janar nëse pajtohen me ndryshime kushtetuese në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Në adresat e tyre u kemi dërguar një letër zyrtare në të cilën theksojmë se në këtë mënyrë Kurti shkel të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare të serbëve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje atyre që ta përdorin ndikimin dhe kapacitetin e tyre diplomatik për ta ndryshuar qëndrimin e Prishtinës për mbajtjen e referendumit. Proceset zgjedhore janë zhvilluar me sukses në Kosovë, me ndihmën e misionit të OSBE-së”, kanë thënë për Novostin nga zyra që e drejton Petar Petkoviqi, kryenegociatori serb në dialog. /gazetametro.net