Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në konferencë për media pas takimit me të dërguarin e posaçëm të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton Gazeta Metro.
Ajo ka thënë se është shumë me rëndësi që çdo marrëveshje e arritur në kuadër të dialogut me Serbinë të jetë e zbatueshme dhe e implementueshme dhe që të ketë edhe përkrahjen e popullit dhe Kuvendi i Kosovës.
Tutje, Osmani ka shtuar se do të punohet për arritjen e konsensusit në vend për t’u siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet bashkë me planin e zbatimit të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive.
“Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme dhe e implementueshme dhe të mbështetet nga populli dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike. Do të vazhdojmë të punojmë për konensus në vend dhe për të siguruar që marrëveshje pasi të nënshkruhet me planin e zbatimit të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive”, ka thënë ajo.
Shefja e shtetit gjithashtu ka theksuar se vizita e Escobar rikonfirmon përkushtimin e përbashkët në procesin e dialogut.
Ajo ka thënë se Kosova do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim dhe qasje konstruktive siç ka bërë gjatë gjithë këtij procesi duke e kuptuar momentumin e takimit në Ohër.
“Ne besojmë fort se një marrëveshje e drejt dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë. Në Ohër Kosova shkon me këtë mendësi dhe me shpresën për një rezultat pozitiv”, ka thënë Osmani.
Presidentja e vendit ka potencuar se çdo përpjekje e Serbisë për të penguar këtë rezultat të marrëveshjes përmes kushtëzimeve mund të dëmtojë procesin e dialogut. /gazetametro.net