Të enjtën (2 mars 2023) janë arrestuar 15 persona pas aksionit të Policisë së Kosovës, të cilët me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt kanë zhvilluar një operacion në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”.
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i auto salloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit dhe komunës së Vitisë. Po ashtu, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e dokumente.
Ndër to është edhe “Auto sallon Lipjani” pronari i të cilit është Egzon Salihu, që tashmë ndodhet në paraburgim. Ai po dyshohet se ka kryer veprat penale “Fajde” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Salihu po dyshohet se nga maji i vitit të kaluar e në vazhdim, e ka shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të pronarëve të dy ndërmarrjeve tregtare, duke kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë.
Rasti me pronarin e NT “Blendi”
Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i muajit Maj 2022 dhe në vazhdimësi, Egzon Salihu dyshohet se në auto sallonin e tij, ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të tij.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i dëmtuari, si pronari i ndërmarrjes tregtare ‘Blendi’, për shkak të krizës financiare pas pandemisë së COVID-19, si dhe obligimeve nga pagesat e fajdeve për persona të tjerë, në pamundësi që të paguajë ato obligime, është detyruar që të blejë një veturë BMW X5, me çmim të 40 mijë eurosh, të cilën e ka paguar më pas për 55 mijë euro, si dhe një veturë tjetër, po ashtu BMW, me çmim prej 50 mijë euro, të cilën pas dy muajsh e ka paguar për çmimin prej 70 mijë euro. Kjo është bërë me qëllim t’i paguajë këstet e fajdeve për personat e tjerë, duke pësuar dëm rreth 35 mijë eurosh, raporton Sinjali.