Pronari i auto sallonit “Alberti”, Skender Bajrami, që u shoqërua para disa ditësh në Polici, gjatë aksionit policor që u zhvillua kundër fajdes është liruar.
Kërkesa e Prokurorisë që t’i caktohet masa e paraburgimit është refuzuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Front Online kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e tij.
Mësohet se Prokuroria dyshon që pronari i Auto Sallon “Alberti” është i përfshirë në dhënie të fajdeve.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Skender Bajrami i ka shitur një veturë në vlerë prej 86 mijë euro të dëmtuarit Xh.Sh., mirëpo menjëherë të njëjtit ia ka blerë të njëjtën veturë me çmim prej 67 mijë euro, të cilat para i dëmtuari i ka marrë në dorë dhe i ka paguar fajde tek i pandehuri Salih Sinani dhe në këtë mënyrë është shkaktuar dëm nga fajdeja prej 19 mijë eurove.
Për të gjithë të arrestuarit Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, por Gjykata nuk e ka aprovuar këtë masë vetëm ndaj Skender Bajramit, pronarit të Auto Sallon “Alberti”, i cili raportohet se është liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Përveç Bajramit që është liruar, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 14 të dyshuarve të tjerë: Egzon Salihut, Besnik Salihut, Fadil Salihut, Ardi Saraqit, Shefik Rexhepit, Lindrit Haradinajt, Ramiz Ademit, Mujë Ademit,Kadri Gërbeshit, Ajvaz Muzaqit, Bashkim Osmanit, Bahri Abazit, Nexhmi Abazit dhe Shukri Haxhiut.
Pronarët e auto salloneve e kompanive të tjera, që u arrestuan po dyshohen për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij aksioni, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e prova të tjera.
Operacioni policor kundër fajdes i zhvilluar më 2 mars në disa qytete të vendit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda rezultoi me arrestimin e 15 personave të dyshuar, ndër ta edhe të Bajramit, për përfshirje në veprimtari kriminale.
Ndryshe, Skender Bajrami është aksionar në qendrën tregtare “Prishtina Mall” me 17 milionë euro investim.