Në takimin e dytë me palën serbe në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kujtoi përfaqësuesve të Serbisë nevojën për ballafaqim me të kaluarën, historitë e grave të dhunuara dhe listën me mijëra fëmijë të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Presidenti serb refuzoi t’i pranojë nga kryeministri i Kosovës tri librat në këtë takim, pas së cilit, Kurti shkroi se mosnjohja e të kaluarës kriminale të Serbisë dhe mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë. Qasja e Kurtit në këtë takim po vlerësohet e duhur nga njohës të procesit të dialogut dhe ata që merren me drejtësi tranzicionale e zbardhje të fatit të personave të zhdukur.

Lidhur me takimin e fundit në Bruksel, njohësi i politikës së jashtme, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë se Serbia nuk duhet të kursehet nga e kaluara e saj kriminale, por sipas tij, qasja e Kosovës në bisedime duhet të jetë gjithmonë e baraspeshuar me kërkesën e partnerëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Fetahu: Kosova nuk ka pse t’i fsheh krimet e Serbisë nga asnjë proces dialogues

Loading...

“Ballafaqimi me të kaluarën është një qasje e mirë e Kosovës, për këtë arsye as Vuçiq nuk duhet të kursehet nga një gjë e tillë, dhe Kosova nuk ka pse t’i fsheh krimet e Serbisë nga asnjë proces dialogues, por thelbi besoj qëndron, dhe shqetësimi, ne ende nuk kemi informacion se a janë këto kërkesa dhe a është gjet balanci i duhur i palës kosovare me partnerët ndërkombëtar, në këtë rast me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës[…]Ne përpos që duhet të tentojmë ta bëjmë përgjegjëse Serbinë për krimet që i ka bërë në të kaluarën, edhe për ballafaqim me të kaluarën si tërësi, duhet ta kemi këtë koordinimin dhe të shohim a jemi në pikëngjizje me partnerët ndërkombëtar, ShBA-të dhe Bashkimin Evropian, dhe se si kjo qasje e jona a mund të shkaktojë ndonjë polemikë apo ndonjë lloj averzioni me partnerët ndërkombëtar”, thotë Fetahu.

This image has an empty alt attribute; its file name is fetahu-250721.jpg
E kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti thotë se me të drejtë kryeministri Kurti i ka përkujtuar Serbisë që nuk mjafton zbardhja e fatit të personave të zhdukur, por nevojitet edhe dalja para drejtësisë e atyre që kanë bërë kidnapimin dhe zhdukjen e tyre.

Hoti: Kryeministri Kurti me të drejtë i ka përkujtuar Serbisë kryerjen e gjenocidit në Kosovë

“Konsideroj që kryeministri me të drejtë i ka përkujtuar Serbisë që është ajo që ka bërë gjenocid dhe jo vetëm në luftën e fundit. Konsideroj që kryeministri me të drejtë i ka përkujtuar Serbisë që nuk mjafton vetëm zbardhja e fatit të personave të zhdukur por duhet të vihen para drejtësisë edhe ata persona që kanë kryer kidnapimin dhe zhdukjen e këtyre personave dhe natyrisht pastaj, që është çështje e drejtësisë dhe jo e jona. Me të drejtë kryeministri ka kërkuar që të bëhen edhe reparacionet e luftës së fundit në Kosovë”, thotë për KosovaPress, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti.

Loading...